Për herë të parë në Shqipëri, falë ndërtimit të dy mjeteve të rëndësishme si “Sistemi për Menaxhimin e Ujitjes dhe Kullimit (IDMIS)” si dhe aplikacioni i “Mjeshtri i Ujit”, bashkitë e vendit do të aksesojnë të gjithë informacionin e nevojshëm për të menaxhuar dhe monitoruar sistemet e ujitjes dhe kullimit, si dhe proceset e lidhura me to.

Kjo është mundësuar përmes projektit pilot të financuar nga Banka Botërore “Asistencë teknike për monitorimin dhe vlerësimin e performancës së ujitjes në nivel bashkie” të aplikuar në 4 bashki të Shqipërisë: Divjakë, Lushnjë, Roskovec, Konispol, të zbatuar falë bashkëpunimit të IDRA Research & Consulting me ME&A.

Menjëherë pas tij, është përmbyllur me sukses dhe projekti “Hartëzimi dhe vlerësimi i infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit në bashkitë me intensitet të lartë bujqësor në Shqipëri”. Ky është një tjetër projekt i Bankës Botërore që si objektiv kryesor ka përditësimin e informacionit gjeohapësinor të ujitjes dhe kullimit për të përmirësuar menaxhimin e skemave të ujitjes dhe kullimit në 31 bashki të Shqipërisë dhe i u besua për zbatim IDRA Research & Consulting.

Për të dy projektet e sipër përmendura u realizua auditimi në terren i kanaleve ujitëse dhe kulluese (primare dhe sekondare), si dhe aseteve përgjatë kanaleve. Audituesit e terrenit përveç kontrollit të funksionalitetit, grumbulluan të dhëna mbi skemat e ujitjes, mjeshtrit e ujit, juridiksionin, arsyet e mosfunksionimit të kanaleve dhe aseteve, si dhe i dokumentuan me fotografitë përkatëse. Procesi i auditimit u ndoq më pas nga procesi i digjitalizimit në GIS dhe validimit të informacionit me secilën bashki.

Faza finale përfshiu përgatitjen e hartave dhe shtresave në GIS si dhe dorëzimin e tyre në bashkitë përkatëse. Produktet përfundimtare ishin shumë të vlefshme për bashkitë të cilat kishin në përdorim inventarë dhe harta të vjetra që nuk ishin të përditësuara me situatën aktuale në terren.