Një ditë e zakonshme për një grua ndahet në mënyrë të barabartë midis punës së paguar dhe asaj të papaguar, ndërsa dita e një burri i kushtohet kryesisisht punës me pagesë. Edhe në tregun e punës, gratë paguhen deri në 90 përqind të pagës së një burri.

Këto janë vetëm pak nga analizat e të dhënave të përfshira në raportin "Analiza e politikave të përgjegjshme gjinore për familjen në Shqipëri".

Ky raport i realizuar nga UNFPA në bashkëpunim me IDRA Research & Consulting, jep një pasqyrë të kuadrit aktual ligjor, ekonomik dhe social në Shqipëri për politikat miqësore ndaj familjes.

Krahas panoramës ligjore dhe politikave për mbështetjen e familjes në Shqipëri, raporti përfshin praktikat më të mira nga vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë, si dhe rekomandime për krijimin e një mjedisi të përshtatshëm dhe shtimin e mundësive për gratë në përmbushjen e aspiratave të tyre profesionale dhe familjare.

Vitet e fundit, kuadri ligjor në Shqipëri ka pësuar përmirësime në lidhje me rregullimet për ekuilibrin punë-jetë dhe politikat e përgjegjshme gjinore për familjen. Përmirësimet pasqyrojnë përfshirjen e konventave dhe traktateve ndërkombëtare në legjislacionin kombëtar dhe ndryshimet e miratuara në ligjet thelbësore, siç janë: Kodi i Punës dhe Ligji i Sigurimeve Shoqërore.

Në linjën e këtyre ndryshimeve, disa dispozita të Direktivave të BE-së janë transferuar në legjislacionin kombëtar për çështje si trajtimi i barabartë dhe mundësive të barabarta midis burrave dhe grave në punësim, mbrojtja për nënat shtatzëna dhe ato që sapo kanë  lindur, parashikimi i lejes së lindjes për babain dhe lejes prindërore. Sidoqoftë, legjislacioni i Bashkimit Evropian është në zhvillim të vazhdueshëm dhe në vitin 2019 u miratua një direktivë e re për ekuilibrin e punës dhe jetës.

Në këtë drejtim, dispozitat e reja të BE-së që rregullojnë lejen e lindjes për babain dhe lejen prindërore duhet të harmonizohen plotësisht me Kodin e Punës dhe Ligjin e Sigurimeve Shoqërore edhe në Shqipëri.

Leja prindërore është shtuar në Kodin e Punës si rezultat i rishikimeve të fundit dhe prindërit tani kanë të drejtë të marrin deri në katër muaj pushim të papaguar. Sidoqoftë, nevojitet një rregullim më i detajuar i kësaj leje, ku të konsiderohet dhe mbulimi i plotë apo i pjesshëm financiar, rregullim që duhet të jetë në të njëjtën linjë me Direktivën e BE-së për promovimin e ekuilibrit jetë-punë.

 Sipas një vlerësimi të kohëve të fundit mbi ndikimin e COVID-19 tek gratë dhe burrat në Shqipëri, pandemia ka një ndikim më të madh tek gratë sesa burrat. Më shumë gra po punojnë nga shtëpitë dhe kanë rritur angazhimin e tyre në aktivitete të përkujdesjes dhe ato shtëpiake. Nga ana tjetër, më shumë burra kanë humbur punën, por nuk e kanë rritur përfshirjen e tyre në përgjegjësitë familjare në të njëjtën masë sa gratë. Të gjithë këta faktorë kanë sjellë një shtim të përjetimit të stresit dhe ankthit tek gratë.  

Gjetjet e këtij raporti sugjerojnë se grave duhet t’u jepet më shumë mbështetje jo vetëm nga qeveria, por dhe nga kompanitë private, për t’i ndihmuar ato në kombinimin më të mirë të mundshëm të përgjegjësive familjare me avancimet e tyre në karrierë.

Për më shumë informacion mund të shkarkoni raportin e plotë