IDRA Research & Consulting së bashku me një grup kompanish ndërkombëtare konsulence, janë duke zbatuar projektin IPA “Zbatimi i reformës së shërbimit civil në administratën publike” financuar nga Bashkimi Evropian.

Aktiviteti i rradhës në kuadër të këtij projekti ishte trajnimi i anëtarëve të Komiteteve të Vlerësimit për pranimet e reja në shërbimin civil. Pjesë e këtyre komiteteve janë përfaqësues nga Departamenti i Administratës Publike, Kryeministria dhe ministritë e linjës. Mbi 40 përfaqësues u trajnuan në dy grupe, gjatë datave 17-18 dhe 20- 21 Qershor mbi metodat e vlerësimit të elementëve të personalitetit të çdo kandidati, gjatë intervistave të punës.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte përmirësimi i kapacitetetve të anëtarëve të Komiteteve të Vlerësimit, pjesë e procedurave të rekrutimit në shërbimin civil, të zhvilluara nga DAP dhe rrjedhimisht edhe përmirësimin e cilësisë së punësimit në administratën publike. Rritja e aftësive rekrutuese konsiston në përmirësimin e mënyrës sesi një anëtar i Komiteteve të Vlerësimit duhet të intervistojë kandidatët për aftësitë dhe ndërveprimin e tyre social; duhet të identifikojë dhe analizojë profilin personal të kandidatëve si dhe të përputhë maksimalisht kërkesat e pozicionit në administratë me profile të përshtatshme kandidatësh. Trajnimi pati një qasje të kombinuar teorike dhe praktike ku gjatë modulit të parë pjesëmarrësit u njohën me analizën e profileve sipas teorisë DISC dhe karakteristikat për secilën prej tyre, e në të dytën u realizuan disa ushtrime praktike lidhur me vlerësimin e sjelljes së kandidatëve.

Zgjerimi i kapaciteteve për stafet rekrutuese të institucioneve qëndrore edhe në fushën e njohjes së personalitetit të kandidatëve është një risi në administratën publike dhe synon të rrisë cilësinë dhe përputhshmërinë e nëpunësve të rinj me nevojat e administratës.