Në vijimësi të kujdesit për zhvillimin profesional të punonjësve, IDRA Research & Consulting mbështet stafin e saj në ndjekjen dhe realizimin me sukses të programeve të avancuara të studimit.

Në këtë kontekst, së fundmi është nënshkruar një marrëveshje me Universitetin e Tuscia-s në Itali. Marrëveshja konsiston në mundësimin e ndjekjes se programeve PHD të punonjësve të interesuar të IDRA që plotësojnë kriteret e parapërcaktuara për çdo program. Kandidatët e propozuar nga IDRA, i nënshtrohen të gjitha fazave përzgjedhëse ku përfshihen testimet dhe intervistat e nevojshme.

/files/Olta Cakoni

Pas përfundimit të të gjitha fazave të përzgjedhjes, Olta Cakoni, Drejtuese e departamentit Market Research në IDRA, është përfituesja e parë e kësaj marrëveshjeje. Ajo do të fillojë studimet e doktoratës duke nisur nga muaji nëntor në programin e Ekonomisë, Menaxhimit dhe Kërkimit Sasior në Universitetin e Tuscia në Viterbo, Itali.

Kohëzgjatja e programit do të jetë 3 vite, ku në vitin e parë ndjekja e studimeve do të jetë një kombinim i leksioneve të zhvilluara online dhe atyre të mbajtura në auditor, ndërkohë që në dy vitet e tjera doktorantët do të punojnë mbi studimet kërkimore.

Tema e përzgjedhur nga Cakoni është “Vlerësimi i ndikimit të skemave mbështetëse në sektorin e bujqësisë në kontekstin e vendit kandidat të BE-së - rasti i Shqipërisë”.

Përgjatë të gjithë periudhës së studimit dhe kërkimit (si në Itali ashtu dhe jashtë), IDRA Research & Consulting do të ndihmojë punonjësit e pranuar nga programi për shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit.

Edhe njëherë IDRA tregon se investimi më i mirë që një kompani duhet të bëj është tek ekipi i saj. Ndaj në IDRA është bashkuar një grup profesionistësh entuziastë, kuriozë dhe të gatshëm për të përqafuar risitë e kohës.