UNICEF në Shqipëri dhe partnerët e tij, po zbatojnë një program të financuar nga Zyra Qendrore e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, për të kontribuar në uljen e numrit të trafikimit të qenieve njerëzore në/dhe nga Shqipëria. Programi bashkon nisma të ndryshme për të forcuar parandalimin dhe mbrojtjen nga trafikimi i qenieve njerëzore dhe më pas intensifikon këto përpjekje, duke u fokusuar tek ndryshimi i nevojshëm për të sjellë një ndikim afatgjatë dhe të qëndrueshëm. Në planin afatgjatë, këto ndërhyrje duhet të plotësohen me zbatimin e një qasjeje progresive për të adresuar shkaqet bazë të trafikimit të qenieve njerëzore, nëpërmjet angazhimit afatgjatë të qeverisë, shoqërisë civile dhe komuniteteve vendore, nëpërmjet komunikimit të drejtpërdrejtë me individët, familjet dhe komunitetet në zonat e rrezikuara të Shqipërisë.

Nëpërmjet anketës së valës së parë, të zbatuar nga IDRA Research & Consulting, synohet të kuptohet dhe eksplorohet niveli i njohurive të të rinjve, qëndrimeve dhe praktikave të tyre lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore në qarqet Tiranë, Shkodër, Dibër dhe Kukës

Të dhënat u mblodhën nëpërmjet anketave ballë për ballë me të rinj shqiptarë përfshirë të rinj romë në katër qarqet e vendit. Anketat u zhvilluan me persona të grupmoshës 15-29 vjeç gjatë muajit gusht 2020. Në total u zhvilluan 1537 anketa.

Disa prej gjetjeve të përgjithshme të studimit janë:

  • Niveli i njohurive të të rinjve shqiptarë të anketuar mbi trafikimin njerëzor është relativisht i lartë, por ka hapësirë të konsiderueshme për ta forcuar atë në lidhje me llojet e shfrytëzimeve që ndodhin.
  • Në përgjithësi, njohuritë e të rinjve mbi kuptimin e trafikimit njerëzor janë të mira. Edhe pse ata mund të mos jenë në gjendje ta përcaktojnë termin me saktësi, e kuptojnë se kjo është një çështje e të drejtave të njeriut (47%), një krim (22%) dhe që lidhet me migracionin (jo të rregullt) (10%).
  • Shumica e të rinjve në këto zona konsiderojnë se trafikimi i shqiptarëve në vendet e huaja është një shqetësim serioz. Sidoqoftë, ata janë më pak të vetëdijshëm për shfaqjen e fenomenit brenda vendit.
  • Të rinjtë e anketuar e dinë se ata mund të raportojnë trafikimin njerëzor në polici por nuk janë shumë të vetëdijshëm për linjat e tjera të raportimit. Opsionet e zgjedhura më shpesh për pyetjen se si mund të raportohen raste të dyshuara të trafikimit njerëzor ishin: Stacioni policor (87%), dhe linja telefonike e policisë 129 (60%).
  • Njohuritë mbi llojet e ndryshme të mbështetjes në dispozicion të viktimave të trafikimit njerëzor janë akoma të ulëta mes të rinjve të anketuar (rreth 41% të pavetëdijshëm për çdo lloj mbështetjeje).
  • Të anketuarit mendojnë se masat e zbatimit të ligjit janë mjeti më efektiv për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe u japin më pak rëndësi faktorëve socio-ekonomikë që i bëjnë njerëzit të prekshëm nga trafikimi i qenieve njerëzore.
  • Të rinjtë që u anketuan do të dëshironin të dinin më shumë rreth trafikimit të qenieve njerëzore dhe të merreshin me aktivitete kundër fenomenit përmes shfaqjes së një filmi apo dokumentari me këtë temë (49% 'shumë'), duke raportuar raste të mundshme (49%), përmes një programi televiziv investigativ mbi trafikimin e qenieve njerëzore (48%). Përgjigjet më të rralla ishin: "zhvillimi i një loje ose kuiz në smartphone për trafikimin e qenieve njerëzore" (23%), "vullnetarizëm për një OJQ antitrafik" (28%) dhe "përfshirje në një fushatë lokale antitrafik" (30%).

Pas strategjisë së komunikimit, një studim i valës së dytë do të kryhet në të njëjtat fusha dhe do të masë ndryshimet në njohuritë, qëndrimet dhe praktikat në lidhje me trafikimin e qenieve njerëzore në Shqipëri si dhe do të vlerësojë formatet dhe mesazhet që kanë ndikuar në njohuritë, qëndrimet dhe praktikat e të rinjve në lidhje me fenomenin.