Sistemi i ri i klasifikimit të pagave, vlerësimit të performancës së nëpunësve civilë dhe shpërblimet në administratën publike sipas shëmbujve më të mirë në Bashkimit Europian. 

Në kuadër të projektit IPA 2014, “Zbatimi i Reformës së Shërbimit Civil në Administratën Publike” përfaqësues nga Kryeministria, Departamenti i Administratës Publike dhe Ministrisa e Financave dhe Ekonomisë, patën mundësinë të shkëmbenin eksperiencat më të mira të reformave të realizuara nga kolegët e tyre Portugezë nëpërmjet  një vizitë treditore studimore në Lisbon, në datat 15, 16 dhe 17 korrik.

Vizita në Drejtorinë e Përgjithshme të Administratës dhe Punësimit Publik kishte për qëllim njohjen me arritjet dhe sfidat mbi reformën në administratën publike, dhe sidomos reformën në fushën e pagave, menaxhimin e burimeve njerëzore, përshkrimet e punës, sistemin e shpërblimit etj.

Ndër të tjera, u shkëmbyen edhe përvojat e Shqipërisë dhe Portugalisë në fushën e rekrutimit të nëpunësve civilë, zhvillimin e karrierës në shërbimin civil, trajnimet e ndryshme etj.

Kjo eksperiencë do të shërbejë si një vlerë e shtuar në pikëpamje të punës që po bëhet falë mbështetjes së Bashkimit Evropian nëpërmjet projektit IPA 2014, “Zbatimi i Reformës së Shërbimit Civil në Administratën Publike”, i cili bëri të mundur këtë eksperiencë. Ekspertët e projektit, në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Administratës Publike po punojnë intensivisht për të përmirësuar edhe më tej zbatimin e reformës së shërbimit civil nëpërmjet reformës së pagave, forcimit të kapaciteteve të institucioneve,  përmirësimit të menaxhimit të burimeve njerëzore, etj.

Reforma në sistemin e pagave, si një nismë shumë e rëndësishme, do të rrisë më tej aftësitë e punonjësve publikë, duke vlerësuar trajnimin e tyre të vazhdueshëm dhe aftësinë për të kryer punën. Për më tepër detaje mbi Projektin dhe synimet, ju ftojmë të lexoni materialet informuese të përgatitura https://administrata.al/Pages/NewMenu/IPA-2014.aspx