Për të matur ndikimin e COVID-19 në ekonominë e familjeve dhe të bizneseve në Kosovë, UNDP Kosova, së bashku me UN Women Kosova dhe UNFPA Kosova, angazhuan IDRA Research and Consulting - Kosova për të kryer dy anketa me 1.412 individë dhe 202 përfaqësues nga biznesi.

Qëllimi i këtij vlerësimi të shpejtë ishte hulumtimi mbi efektet e pandemisë COVID-19 dhe masat në lidhje me punësimin, të ardhurat (personale dhe të bizneseve), qasjen në shërbimet bazike dhe pritshmëritë për të ardhmen. Ky studim ndihmon edhe në adresimin e mbështetjes qeveritare dhe atë të organizatave ndërkombëtare gjatë fazës post COVID-19.

Sa i përket mënyrës së të punuarit  gjatë karantinës më shumë se një e katërta e të punësuarve në një institucion/ndërmarrje punonin nga shtëpia. Veçanërisht, më shumë se dy herë më shumë gra (42%) sesa burra (19%) punonin nga shtëpia.

Të ardhurat personale nga punësimi ose vetëpunësimi kanë rënë përkatësisht për 29% dhe 24% të të anketuarve. Ndërsa 49% e tyre deklaruan se të ardhurat e familjeve nga burime të ndryshme janë ulur gjithashtu. Pothuajse gjysma e familjeve kanë përjetuar një ulje mesatare prej 406 Euro në muaj.

Ndërkohë, më shumë se gjysma e bizneseve të anketuara ndaluan aktivitetin e tyre kryesisht për shkak të masave qeveritare (81%), mungesës së klientëve (24%) dhe vështirësive për të paguar pagat e punonjësve të tyre (16%). Vetëm rreth gjysma e bizneseve deklaruan se ata vazhduan të paguanin pagat e plota për punonjësit e tyre gjatë masave të vendosura.

Shëndeti psikologjik gjithashtu është ndikuar gjatë kësaj kohe, ku më shumë se një e katërta (28%) e të anketuarve deklaruan se janë përballur me stres psikologjik, mendor ose emocional.

Përshtypja për një rritje të dhunës në familje duket se ishte mjaft e lartë. Më shumë se gjysma e të anketuarve deklaruan se besojnë se dhuna në familje ishte rritur që nga përhapja e COVID-19.

Qasja në shërbimet bazike rezultoi sfiduese, ku rreth gjysma e të anketuarve kishin vështirësi në marrjen e ushqimit dhe blerjen e furnizimeve për mbrojtje personale dhe rreth një e treta kishin vështirësi për qasje në produkte higjienike dhe sanitare.

Nëse masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19 do të vazhdonin edhe më gjatë, të anketuarit kryesisht kishin frikë se do të ishte e vështirë të paguanin qiranë, të mbulonin shpenzimet e përditshme dhe se do të duhet të kërkonin ndihmë nga qeveria, familja dhe miqtë.

Ndërsa më shumë se një e treta e bizneseve deklaruan se ata mund të përballojnë situatën vetëm për një deri në dy muaj më shumë. Ndihma financiare (21%) dhe lehtësimi dhe lirimi nga detyrimet tatimore (18%),  ishin propozime për qeverinë për të ndihmuar bizneset të rimëkëmben.

Ky raport nxjerr në pah disa nga çështjet më urgjente dhe do të ndihmojë ekipin e UNDP-së në Kosovë, aktorët e tjerë ndërkombëtarë, dhe veçanërisht qeverinë të bëjnë plane të hollësishme se ku mund të përqendrohet ndihma.

Shkarko raportin e plote

/files/ALB_HHSurveyInfographic

/files/Capture.PNG