Një vit pas raportimit të rastit të parë të Covid-19 në Shqipëri, ishte i nevojshëm ofrimi i një pasqyre mbi nivelin e njohurive, sjelljeve dhe praktikave që shqiptarët kanë ndaj këtij realiteti krejtësisht të ri.

IDRA Research & Consulting është kontraktuar nga UNICEF dhe USAID për të kryer një studim mbi këtë qëllim.

Sondazhi përfshiu një kampion përfaqësues me rreth 1000 të anketuar të moshës 18 deri 64 vjeç, nga të gjitha rajonet e Shqipërisë. Të dhënat u mblodhën nëpërmjet intervistave me telefon gjatë periudhës 7 dhe 24 nëntor 2020.

Raporti studimor mundëson të dhëna mbi nivelin e njohurive që individët kanë në lidhje me simptomat e Covid-19 si dhe për të matur nivelin e sjelljes dhe praktikave për parandalimin e sëmundjes.

Të dhënat e studimit dëshmojnë për një nivel të mirë të njohurive të popullatës rreth simptomave të Covid-19. Më konkretisht temperatura (përmendur nga 83%) dhe kolla (60%), ndërsa një në tre të anketuar ishin të vetëdijshëm për frymëmarrjen e shkurtuar dhe humbjen e shijes dhe aromës. Simptomat më pak të njohura ishin të përzierat (4%), rrufa (3%) dhe konfuzioni (2%). Gratë reflektuan në përgjithësi një nivel më të lartë të njohjeve rreth simptomave të Covid-19 krahasuar me burrat.

Sipas studimit, të anketuarit zbatojnë në një nivel të mirë të gjitha udhëzimet standarde për të kufizuar përhapjen e sëmundjes dhe praktikat në lidhje me higjienën (larja e duarve, dezinfektimi i sipërfaqeve, mbajtja e maskave) të cilat përgjithësisht zbatohen gjithmonë. Nga ana tjetër, sondazhi tregon për një zbatim më të ulët të praktikave që lidhen me sjelljen shoqërore, të tilla si mbajtja e distancës, shmangia e frekuentimit të bareve dhe restoranteve, mos dalja nga shtëpia nëse nuk është e nevojshme si dhe shmangia e kontaktit fizik.

Studimi përfshiu një sërë pyetjesh lidhur me situatën financiare. Rezultatet treguan se rreth 40 përqind e familjeve të anketuara shpenzuan të njëjtën sasi parash siç do të shpenzonin normalisht (në dy muajt e kaluar), megjithëse rreth 60 përqind deklaruan se të ardhurat e tyre ishin ulur. Pritshmëritë për të ardhmen tregojnë se rreth 40 përqind e të anketuarve mendojnë se gjendja e tyre financiare do të mbetet e njëjtë dhe rreth 30 përqind mendojnë se do të përkeqësohet.

TV kombëtare dhe mediat sociale janë burimet më të zakonshme të marrjes së informacionit në lidhje me Covid-19. Dallime të konsiderueshme shihen midis grupmoshave të ndryshme. Më të rinjtë  përdorin mediat sociale si burimin e tyre kryesor të informacionit dhe grupmoshat më të vjetra përdorin kanalet televizive kombëtare. Familja, miqtë dhe kolegët mbeten një burim tjetër i rëndësishëm informacioni të përdorura nga rreth një në tre të anketuar.

Për më shumë informacion mund të shkarkoni raportin e plotë