/files/cap

Fillon sot cikli i trajnimeve online për nëpunësit e administratës publike mbi Kodin e Procedurave Administrative. Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të projektit “Zbatimi i Reformës së shërbimit civil në administratën publike”, financuar nga BE, me përfitues Departamentin e Administratës Publike dhe zbatuar nga konsorciumi i kompanive (PAI; IBF; Expertise France, Ena dhe IDRA Research and Consulting).

Paraprakisht, skuadra e projektit ka përgatitur një manual praktik për zbatimin e Kodit të Procedurave Administrative i cili ka si qëllim qartësimin dhe zbatimin e unifikuar të dispozitave të kodit nga nëpunësit e administratës publike gjatë ushtrimit të funksioneve publike. Manuali ndjek strukturën e Kodit të Procedurave Administrative, duke synuar jo vetëm një interpretim teorik por një përshkrim ne formën e një “udhëzuesi” praktik me qëllim përdorimin në përditshmëri të këtyre dispozitave nga nëpunësit civilë.

Gjatë një periudhe tre mujore, ky cikël trajnimesh synon të përgatisë me njohuri praktike mbi Kodin e Procedurave Administrative rreth 120 nëpunës të administratës publike.

I gjithë cikli i trajnimeve është organizuar duke synuar një qasje inovative si në procesin e metodave të trajnimit ashtu edhe në atë të vlerësimit.

Pasurimi i sistemit LMS të Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA) me e-curricula mbi Kodin e Procedurave Administrative është një qasje që vlen jo vetëm për gjatë periudhës së vështirë të COVID-19 por edhe për trajnimin dhe përmirësimin profesional në vazhdim të nëpunësve civilë.