Si dhe kur “do të dalim nga shtëpia”?

Shqiperia po mbyll javën e tretë të masave të rrepta kufizuese me qëllim përballimin e situatës së  COVID-19. Të  dhënat e deritanishme tregojnë një rritje të  moderuar dhe ky është  një  sinjal që  këto masa kufizuese kanë qenë të drejta dhe po japin rezultat. Megjithatë  pyetja se “kur do të  dalim nga shtëpia” dhe si do te jetë pas daljes, qasja ndaj virusit mbetet ende pa përgjigje. “Distancimi social” dhe “karantinimi kolektiv” jane masa të  rëndësishme e të  domosdoshme për të “shtypur kurbën e infeksionit” por nuk ofrojnë zgjidhje për të dalë nga kjo situatë. E trajtojnë atë përkohësisht dhe i japin frymëmarrje institucioneve shëndetesore të përballojne flukse të mundshme pacientësh. Ndërkohe ekonomia hyn në një faze “ngrirjeje” dhe dëmet potenciale janë  vështirësisht të  llogaritshme. E atëhere – Kur do të  dalim nga shtëpia dhe si do të sillemi paskëtaj?

Një analizë e tillë është ajo e përgatitur nga një grup me përbërje ekonomistë, sociologë, juristë dhe filozofë, sinteza e të cilit u prezantua në një artikull në gazetën Washington Post në dt. 26 Mars[1]. Punimi i plotë është botuar online në faqen e Qendrës për Etikë të Universitetit të Harvardit (https://ethics.harvard.edu/when-can-we-go-out)   

Duke konsideruar modelet e paraqitura ne dokument si një vlerë që meriton të njihet edhe nga opinioni publik në Shqipëri por sidomos nga politikbërësit që po merren në këtë kohë me formulimin e strategjive dhe masave për të dalë nga kjo situatë, ekipi i IDRA Research & Consulting (www.idracompany.com) mendoi të përkthente të gjithë punimin dhe ta vendosë në dispozion të opinionit publik.

Materialin ne shqip mund ta shkarkoni ketu.

Punimi i drejtohet qeverisë së SHBA, por kjo situatë është e ngjashme për të gjithë dhe analiza vlen për të gjitha vendet që po përballen me virusin, duke përjashtuar ndoshta ato vende që janë në një stad tjetër të zhvillimit të pandemisë dhe të cilat kanë ndjekur disa politika publike të tjera gjatë fazave infektive (Kina, Koreja e Jugut, Taivani, Singapori etj).

Nga ana tjeter, një element shumë i rëndësishëm në këtë situatë është komunikimi i qartë me publikun. Në punim autorët citojnë Planin e Pandemisë së Gripit të Departamentit Amerikan të Shëndetit i cili shprehet “Fitimi dhe ruajtja e besimit të publikut janë kyç për zbatimin e suksesshëm të masave (për luftën ndaj pandemisë); mesazhe të qarta për kriteret, arsyetimin, rolin dhe zgjatjen në kohë të karantinës dhe mënyrave se si çdo person do të mbështetet përgjatë periudhës së karantinimit do të ndihmojë në gjenerimin e besimit të publikut”.

Në mënyrë të sintetizuar, punimi paraqet tre modele me qëllim përballimin e situatës.

  1. “Ngrirje në vend”
  2. “Mobilizim dhe Tranzicion”
  3. “Dorëzim”

 “Ngrirje në vend” është një model që bazohet tek masat e “izolimit në banesa”, siç po kërkohet tani dhe ku mundësia është të bësh rotacion midis një periudhe 2-mujore me izolim të ndjekur pastaj nga një periudhë tjetër 1-mujore me dalje jashtë dhe kjo të vazhdonte për 12 deri në 18 muaj. Për ta mbështetur këtë ekonomia futet në “ngrirje”. Qeveria përdor fonde publike për ti paguar njerëzit me qëllim që ata të rrinë “mbyllur në shtëpi” dhe gjithashtu paguan dhe bizneset që ato të mos mbyllen kështu që në momentin kur pandemia tërhiqet, ekonomia të rifillojë në pikën që ishte përpara masave të izolimit. Paketat aktuale stimuluese të qeverive orientohen nga ky model pavarësisht se ndoshta jo në mënyrë të vetëdijshme. Sipas autorëve në rastin e SHBA-ve, paketa prej 2.2 trilion USD e miratuar për situatën ka mundësi ta “shtyjë ekonominë për 2 deri 3 muaj” dhe pastaj do të duhet të ri-prezantohet për të paktën 5 deri 6 tremujorë të tjerë duke e çuar koston në 10-15 trilionë dollarë.

“Mobilizim dhe Tranzicion” fokusohet tek shmangia e kolapsit të infrastrukturës shëndetësore që trajton sëmundjen infektive dhe e konsideron këtë kolaps potencial si një rrezik të madh kombëtar. Përgjigjja me anë të politikave në këtë rast është të mobilizohen të gjitha burimet si në kohë lufte. Ky model parashikon vetëm 1 (një) periudhë fillestare të distancimit social në mënyre agresive, përafërsisht për 3 (tre muaj), me qëllim ndërprerjen e transmetimit të sëmundjes. Në të njëjtën kohë qeveria punon në mënyrë agresive për të ndërtuar një infrastrukturë mjekësore për ta luftuar dhe për ti mbijetuar  pandemisë duke investuar për të prodhuar teste, për të kryer e administruar teste, pajisje mbrojtëse personale dhe mjete për të identifikuar dhe gjurmuar kontaktet e virusit. Kjo lejon mobilizim për një tranzicion drejt një shoqërie rezistente ndaj pandemisë që lejon lëvizje maksimale për një pjesë sa më të madhe të popullsisë edhe gjatë kohës që pandemia është në proces. Sipas autoreve ky ështe modeli më i mirë për tu ndjekur. Ata vlerësojnë se investimi në testime nuk duhet të jetë më i madh se 1% e paketës stimuluese të SHBA-se (projektim për Shqipërinë mbi bazë të PPB vlerësohet nga IDRA të jetë një shumë nga 150-160 milionë dollarë). Natyrisht këtu nuk bëhet fjalë vetëm për të pasur tamponet për testim po bëhet fjalë edhe për infrastrukturën laboratorike dhe çfarë është më kryesore për burimet njerëzore për një ushtrim të tillë masiv. Por autorët vlerësojnë se kostoja për ta ndërtuar këtë sistem është në mënyrë të konsiderueshme më e ulët se ajo që do të duhet për ta mbajtur ekonominë gjallë “me injeksion” për një periudhë 15 deri 18 mujore.

Nëse do të ndiqej e njëjta llogjikë në Shqipëri, mbi bazen e PPB, paketa stimuluese me 10% të GDP do të ishte diku tek 1.6 miliardë dollare[1]. Kjo duket si nje shume e madhe por nje reflektim I kujdesshem duhet te behet. Natyrisht që ky nuk duhet parë si një ushtrim mekanik (i nje % proporcionale te PBB-se) dhe aftësia ekonomise për të gjeneruar shpejt të ardhura pas “krizës” është e rëndësishme, por ideja është që një shumë e konsiderueshme mund të gjenerohet duke konsideruar edhe rritje te borxhit publik. Borxhi publik nuk duhet të jetë më tabu për këtë situatë. Nuk është më tabu për asnjë nga vendet e BE-së. Struktura ekonomike e Shqipërisë dhe mungesa e ekspozimit të humbjeve në  tregje kapitalesh nënkuptojnë që paketa që mund të përdoret nga Shqipëria mund të jetë shumë më e vogël se 10% e GDP. Por përllogaritje të kujdesshme duhen bërë gjithsesi.

“Dorëzimi” është modeli i tretë që përmendet në punim. Ky është modeli që e lë sëmundjen të ndjekë trajektoren e saj duke pranuar koston e vdekjeve njerëzore me qëllim që ekonomia të mos ndërpritet. Duke llogaritur që në një skenar të tillë 60% deri 70% e popullsisë do të infektohet dhe duke marrë për bazë që rreth 1% e atyre që infektohen vdesin, autorët dalin në përfundimin që edhe nga pikëpamja ekonomike (përveç se totalisht e gabuar nga pikëpamja etike) kjo metodë është me kosto më të madhe se dy të tjerat. Rreth 2 milionë amerikanë pritet të vdesin nëse ndiqet kjo metodë dhe vlera e një jete në mënyrë konvencionale vlerësohet me 5 deri 10 milionë dollarë (kjo shumë për SHBA, ndërsa në vendet e tjera kjo duhet te projektohet në përpjestim me PPB për frymë) kosto e kësaj shkon më shumë se sa të dy metodat e përmendura më sipër. Dhe kjo natyrisht që nuk është baza më e mirë për të gjykuar për këtë metodë. Të lejosh 2 milionë jetë njerëzish të humbasin “nuk është vetëm moralisht e papranueshme por kjo do të thotë që institucionet politike kanë dështuar në misionin e tyre thelbësor – të sigurojnë jetën dhe lumturinë kolektive” shprehen autorët.

Në materialin e punuar prej autorëve dhe të përkthyer nga IDRA, këto metoda janë të shpjeguara me detaje. Konkluzioni është që metoda më e mirë që rekomandohet për zbatim në këtë situatë është “MOBILIZIM DHE TRANZICION”.

Ne shpresojmë që kjo analizë të shërbejë edhe për politikbërësit në Shqipëri për të përshtatur politikat e tyre me qëllim daljen nga situata dhe të fillojnë të mendojnë përtej 2-3 muajve të parë. Përllogaritjet e para që ka bërë IDRA tregojnë se zbatimi i metodës “MOBILIZIM DHE TRANZICION” është i mundur edhe në Shqipëri. Me fokus që burimet të drejtohen tek kjo metodë dhe jo tek “Ngrirja” e ekonomisë siç po duket nga diskutimi publik që është bërë deri tani. Megjithatë është e nevojshme që ekspertët e financave publike në qeveri të bëjnë një vlerësim më të hollësishëm bazuar në modelet e paraqitura në punimin e botuar nga Universiteti i Harvardit.

Në këtë situatë dëgjimi i argumentave të profesionistëve të shëndetit publik është tejet i domosdoshëm. Ata janë vija e parë e “frontit të luftës”. Por e domosdoshme është edhe nevoja për të dëgjuar arsyetimet e ekonomistëve dhe sociologëve për të përballuar këtë situatë shumë-dimensionale.

Ekipi i IDRA Research & Consulting

www.idracompany.com

[1]SHBA në vitin 2019 e kishin PPB diçka më pak se 22 trilionë USD kështu që paketa e miratuar për COVID-19 është diku tek 10% e PPB.  PPB e Shqipërisë për 2019 vlerësohet diku tek 15.9 miliardë dollarë . https://tradingeconomics.com/albania/gdp